Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar sot heqjen e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.
Kurti tha se qeveria e tij, nuk i vë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike, por edhe arsye aktuale.
“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.
“Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha Kurti.
Sipas tij, edhe Lidhja Demokratke e Kosovës edhe Vetëvendosje, janë praktikisht për parimin e reciprocitetit.
E duket se me këtë politikë të Kurtit nuk pajtohet “krahu i tij i djathtë”, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Konjufca në një emsion para dy ditësh tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të ngutet që ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, shkruan Ballkani.info.
Ai tha se kjo duhet të shtyhet, edhe pse në programin zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosjes kishte proklamuar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Për taksën nuk duhet të kemi përplasje të brendshme. Duhet konsensus i gjerë nëse e heqim, sepse i kemi vendosur një kusht të fuqishëm Serbisë. Nuk mendoj se taksa duhet të hiqet shpejt e të vendoset reciprociteti”, tha ai.
Sipas tij, duhet dëgjuar edhe opozita për taksën, sidomos AAK-ja, pasi që ka qenë ish kryeministri Haradinaj që e ka vendosur atë.
“Nuk guxojmë ta prishim balancin e brendshëm për shkak të Serbisë, sepse kjo taksë është vendosur për ta dënuar Serbinë dhe mirë që është vendosur. Duhet të pyetet opozita, AAK-ja dhe PDK-ja. Kjo çështje duhet të flejë, pra nuk bën të ngutemi”, tha ai. /Ballkani.info/







