Krahasimi me vendet e rajonit, “saga” e padrejtësisë evropiane me regjimin e vizave për kosovarët

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime e ka miratuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, vendim ky që pritet të jetësohet nga janari i vitit 2024.

Megjithatë, kur kihet parasysh që të gjitha kriteret janë përmbushur shumë vite më parë, ky vendim është jashtëzakonisht i vonuar nga ana e BE-së dhe duket i ndërlidhur tërësisht me marrëveshjen me Serbinë, e cila përfshin edhe krijimin e Zajednicës.

Procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët ka filluar më 19 janar 2012, kur Komisioni Europian dorëzoi udhërrëfyesin e vizave tek zyrtarët e Kosovës. Që atëherë, ka pasur shumë raporte për progresin e Kosovës deri në përfundimin e udhërrëfyesit në vitin 2016, kur Komiteti i Parlamentit Europian, Liritë Civile, Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme, LIBE, rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Demokracia.com.


Komisioni Evropian vazhdonte të përsëriste qëndrimin e njëjtë, që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe mban në fuqi rekomandimin për liberalizimin e vizave, megjithatë rasti kishte mbetur në duart e Këshillit të Ministrave, i cili sot e miratoi.

Krahasimi i procesit të liberalizimit të vizave me vendet tjera

Institucionet e BE-së vazhdimisht kanë theksuar se procesi i liberalizimit të vizave është një proces teknik i zhvilluar mbi premisat e të qenit strikt.

Në rastin e Kosovës këto parime janë shkelur. Së pari, Komisioni Evropian është treguar strikt, duke dyfishuar numrin e kritereve për Kosovën (nga 45 sa kishin vendet tjera, Kosova ka pasur 95 kritere dhe shume rekomandime tjera të cilat janë shtuar gjatë procesit) dhe duke vendosur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë shteteve anëtare të BE-së.

Disa prej kritereve që kanë qenë specifike vetëm për Kosovën:

  1. Miratimi i Ligjit për Riatdhesim (nuk kanë mjaftuar vetëm marrëveshjet, por është kërkuar edhe ligji).
  2. Miratimi i Ligjit për IBM (as vendet e BE-se nuk kanë ligj të veçantë për IBM).
  3. Miratimi i Ligjit për Luftimin e Trafikimit me qenie njerëzore.
  4. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi (kriter për Kosovën, por jo për Malin e Zi).

Komisioni kishte iniciuar dialogun e procesit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit qysh në vitin 2008 apo më saktësisht për Serbinë (30 janar 2008), Maqedoninë (20 shkurt 2008), Malin e Zi (21 shkurt 2008) Shqipërinë (3 mars 2008) dhe Bosnje e Hercegovinën (26 maj 2009), raporton Demokracia.com.

Në qershor të vitit 2009, Komisioni kishte publikuar Raport Vlerësues me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit nga ana e shteteve përkatëse. Në këto raporte për shtetet respektive, sa i përket përmbushjes së kritereve të parapara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave theksohej se:

– Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave;

– Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar progres të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve, mirëpo një numër i çështjeve kanë mbetur të hapura;

– Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina edhe pse kanë arritur progres, kanë akoma një numër të kritereve të pa adresuara.

Rasti i Ukrainës

Në dialogun mbi procesin e liberalizimit të vizave, Ukraina ishte ende në fazën e parë të zbatimit të kritereve të parashtruara nga Komisioni Evropian.

Raporti i katërt me radhë i KE-së, më 27 maj 2014, kishte vlerësuar progresin e Ukrainës vetëm në sajë të hapave që janë ndërmarrë në avancimin e kornizës ligjore, politike dhe institucionale, përderisa zbatimi efektiv dhe i qëndrueshëm i kësaj kornize ende as që kishte filluar të vlerësohej nga Komisioni Evropian, pasi që kjo i përkiste fazës së dytë të këtij procesi.

Kosova, në anën tjetër, vlerësohej edhe mbi zbatimin e legjislacionit dhe politikave, si p.sh. rezultatet konkrete mbi luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë ose riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar.

Në Ukrainë, edhe pse korniza ligjore në fushën e azilit ishte e kompletuar, ende nuk kishte një sistem efiçient në këtë sektor. Pastaj, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Ukraina duhej të ndërtonte një kornizë të nevojshme institucionale që siguronte një mbikëqyrje reale, funksionale dhe të pavarur dhe një zbatim koherent të kornizës ligjore dhe asaj të politikave në këtë fushë. Kjo tregon një fazë tejet të hershme të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të Ukrainës dhe rrjedhimisht edhe një fazë të hershme sa i përket rezultateve praktike të këtij shteti në këtë proces. Por, përkundër kësaj, BE-ja mori vendim që t’ia liberalizonte vizat Ukrainës.

Rasti i Gjeorgjisë

Si në rastin e Ukrainës, edhe në atë të Gjeorgjisë, vlerësimi nga KE për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave ishte bërë në dy faza: Raporti i fundit i KE-së për Gjeorgjinë (8 maj 2015) ishte i pari që vlerësonte zbatimin në praktikë të këtyre kritereve, shkruan Demokracia.com.

Në këtë raport vërehej që një numër i kritereve për blloqe ishin të pa përmbushura tërësisht. Çështje e rëndësishme që pritej të adresoheshin në të ardhmen përfshinin edhe luftimin e korrupsionit, kriter që vlerësohej të jetë përmbushur vetëm pjesërisht. Këtu specifikohen reformat dhe nevoja për transparencë në prokurimin publik. Tjerë shembuj përfshijnë zbatimin më efektiv të kornizës ligjore për konfiskim të aseteve, fuqizimin e kornizës legjislative dhe zbatimin e saj mbi lëvizjen ndërkufitare të parasë me qëllim të luftimit të shpëlarjes së parasë. Kjo tregon që sfidat me të cilat ballafaqohej Gjeorgjia ishin të ngjashme me ato sfida me të cilat ballafaqohej edhe Kosova, pasi që vëmendja më e theksuar e këtij procesi binte pikërisht mbi luftën kundër korrupsionit, por edhe Gjeorgjisë iu liberalizuan vizat dhe Kosovës jo.

Me cilat shtete BE-ja ka liberalizuar vizat?

Bashkimi Evropian ka liberalizuar vizat për 53 shtete. Pra, përtej vendeve evropiane duke përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor dhe ka arritur të shtyjë përpara agjendën e liberalizimit të vizave nga kontinenti Amerikan në Afrikë dhe nga Azia në Australi.

Dialogu për liberalizimin e vizave, si pjesë e politikës së përgjithshme të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, ka paraqitur një platformë thelbësore për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes vendeve në rajon.

Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka plotësuar Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe misionin e EULEX-it në Kosovë, ka përmirësuar funksionimin e institucioneve të sundimit të ligjit në përgjithësi, ka bërë harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me legjislacionin apo Acquis të BE-së në fushat e menaxhimit të kufijve, menaxhimin e migracionit, sigurisë së dokumenteve, gjyqësorit dhe të drejtave të njeriut. Gjithashtu ka ndërtuar një platformë për bashkëpunim rajonal në aspektin e lirisë së lëvizjes për qytetarët në gjithë rajonin përmes avancimit të koncepteve të menaxhimit të integruar të kufirit dhe avancimin e legjislacionit të saj, korniza e politikave ligjore dhe institucionale në përputhje me kërkesat e BE-së. Si të tilla, reformat e ndërmarra në kuadër të dialogut të vizave me BE-në gjithashtu kanë kontribuar në masat zbatuese që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së për fushat e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë