KQZ thotë se është gati për zgjedhje të tjera nëse dështon krijimi i Qeverisë

Nuk arrihet marrëveshja VV – LDK as edhe një ditë para seancës konstituive të kuvendit.

Lajmin e ka bërë të ditur sot kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku përmes një video të postuar në profilin e tij zyrtare në “Facebook”, tregoi se pse u bllokua marrëveshja me LDK-në.

Kurti tregoi se pse nuk u arrit kjo marrëveshja dhe cilat ishin pengesat kryesore në këtë drejtim.

“Kisha planifikuar që sot të takojë deputetët e pakica, dhe ta mbajmë edhe mbledhjen e Jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Mirëpo, këtu u pamundësuan nga refuzimi i mbrëmshëm i ofertës sime për koalicion qeverisës duke na dërguar nesër në Kuvend të Republikës pa marrëveshje për qeverinë”, tha fillimisht Kurti.

Ai tutje tha se, nesër në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë të thirrur nga Presidenti Thaçi, të dy partitë do të shkojnë pa dakordim për qeverinë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, është obligim i imi moral e politik, shtetëror e kombëtar, qytetar e njërëzor, që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa dakordim për qeverinë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa nga ana tjetër, KQZ janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo pasi marrëveshje VV- LDK nuk u arrit.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka tha se me lajmin e fundit se këto dy parti nuk u dakorduan për qeverisje, KQZ është e gatshme të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Gjithsesi ne zgjedhjet do t’i organizojmë, kur do qofshin ato, sepse e kemi obligim kushtetues dhe kjo nuk është në dëshirën tonë se a do t’i organizojmë apo jo”, u shpreh Daka.

Ndryshe, Kurti, besonte se i duheshin vetëm 100 orë pas certifikimit për ta finalizuar marrëveshjen me LDK-në, por u bën 672 orë dhe përsëri nuk u arrit marrëveshja.