qendrat e vendvotimit

KQZ-së i kërkohet t’i ndërrojë 30 qendra të vendvotimit ku po zhvillohet vaksinimi

Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën janë listuar 30 qendra ku po zhvillohet vaksinimi kundër COVID-19, e që më parë janë përdorur si qendra të votimit për zgjedhje.

Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, ka thënë se MSH-ja ka kërkuar nga KQZ-ja, që të gjenden lokacione të tjera, sepse në objektet e listuara është shumë e rëndësishme vazhdimi i vaksinimit.

“Së fundmi kemi marrë një letër nga Ministria e Shëndetësisë që na ka njoftuar se disa qendra të miratuara si qendra të votimit, aktualisht është duke u kryer procesi i vaksinimit andaj duhet të gjenden objekte të tjera” ka thënë Ahmetaj.

Alim Rama ka kërkuar të di se nga kërkesat për ndërrim të vendvotimit, sa prej tyre janë shqyrtuar.

Po ashtu Rama ka thënë se procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm, duke kërkuar që shpejt të gjenden objekte tjera si qendra votimi.

“Mbledhjen e ardhshme do të ju japim detaje për secilën kërkesë për ndërrim të vendvotimit”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa, në kuadër aktivitetet e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Ylli Buleshkaj ka thënë se ka pak ndryshim sa i përket certifikimit, raporton EO.

Sipas tij në listë tani kanë 160 kandidatë për kryetar të komunës mes tyre 13 gra.

“Kemi pranuar aplikimin e parë për vëzhgues gjatë zgjedhjeve” ka thënë ai po ashtu.

“23 vëzhgues tradicional ju rekomandojmë juve për aprovim të tyre”, ka thënë Buleshkaj.

Ndërsa, Arianit Elashani nga Këshilli për Operacione zgjedhore ka thënë se raporti i planit të punës së KQZ-së, për periudhën janar-qershor deri në një masë është realizuar mjaftueshëm, por që KQZ çalon sa i përket strategjisë.

“Prej 61 aktiviteteve të parapara 21 janë realizuar, 26 janë në proces të realizmit dhe 6 janë pjesërisht të realizuara”, ka thënë ai.