Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka rrëzuar të enjten kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për regjistrimin e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve.
Kërkesa e partive opozitare u rrëzua me 4 vota pro dhe 1 kundër.
Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso tha jashtë zyrave të KQZ se opozitës iu mohua një e drejtë kushtetuese për të paraqitur komisionerë në KZAZ, raporton tvklan.al, transmeton Klan Kosova.
“KQZ nuk ka patur asnjë arsye ligjore për të refuzuar pranimin e këtyre kandidaturave, kuptohet përveçse urdhrit të drejtpërdrejtë politik. Sigurisht Edi Rama dhe mazhoranca janë të shqetësuar nga prania e anëtarëve të propozuar nga opozita në KZAZ, sepse nëse paligjshmëritë po ndjekin njëra-tjetrën në KQZ, në KZAZ ato janë të paimagjinueshme, aq të përhapura dhe aq të shumta.”
Kaso tha se mazhoranca i vjedh dhe manipulon zgjedhjet edhe kur garon e vetme. Ai paralajmëroi se PD do ta ankimojë këtë vendim të paligjshëm e po ashtu do t’u drejtohet edhe partnerëve ndërkombëtarë.







