KQZ refuzon dekretin e Presidentit

Katër anëtarët e mazhorancës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë refuzuar të zbatojnë dekretin e Presidentit Ilir Meta, që anulon mbajtje e zgjedhjeve lokale në 30 Qershor dhe detyron këtë institucion të njoftojë për këtë akt të gjitha subjektet zgjedhore.

Që në nisje të mbledhjes kryetari i KQZ e cilësoi sfidë ndaj dekretit mbledhjen e kërkuar nga dy përfaqësueist e shumicës në KQZ, duke i kërkuar kolegëve të tij t’i binden dekretit.

Klement Zguri: KQZ duhet t’i bindet një dekreti të tillë. Unë nuk jam Gjykatë Kushtetuese që të çmoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit, por për mua dekreti i Presidentit është detyrues dhe duhet të respektoj vullnetin e tij. Kjo është sfidë që KQZ i bën dekretit të Presidentit.

Pas këtij argumenti, kreu i KQZ u largua nga mbledhja. Drejtimin e komisionit e mori nenkryetari Denar Biba. Ai dhe 3 anëtarët e mbetur e cilësuan nul dekretin e kreut të shtetit.

Denar Biba: Akt administrativ absolutisht i pavlefshëm kur vjen në kundërshtim të hapur me një dispozitë urdhëruese të këtij kodi. Bie ndesh me parimin e ligjshmërisë të parashikuar nga neni 4. Duhet të vijojnë zgjedhjet. Ne kemi detyrimin të vazhdojmë punën për të çuar shqiptarët që të shkojnë dhe të votojnë për të zgjedhurit lokalë.

Pas këtij refuzimi, përfaqësuesit e mazhorancës kanë vijuar me vendimet që kanë të bëjnë me zhvillimin e zgjedhjeve më 30 Qershor, mes të cilave edhe shpërndarja e fondeve për partitë politike.