Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, në vlerë prej mbi 16 milionë euro.
Gjatë mbledhjes së mbajtur së fundmi, KQZ ka marrë vendim edhe për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për të gjitha subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
“Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në atë komunë. Subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në të njëjtin vendim, KQZ-ja thekson se kjo llogaritje është bërë në bazë të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024, që ka të bëjë me fushatën zgjedhore dhe monitorimin e saj. Gjithashtu, është marrë për bazë lista preliminare e votuesve në secilën komunë, ku sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i votuesve në vend është 2,071,544.








