Burim Ahmetaj

KQZ me zgjidhje alternative për vendvotimet në katër komunat veriore të Kosovës

Pasi drejtorët e 33 shkollave në veri të Kosovës kanë refuzuar të lejojnë në hapësirat e këtyre objekteve që të jenë të qasshme për vendvotime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka gjetur zgjidhje alternative për vendosjen e këtyre qendrave të votimit. 

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Ai tha se si zgjidhje alternative kanë gjetur objekte publike, që i përkasin administratës së komunave në katër komunat veriore.

Siç tha Ahmetaj lokacionet e sakta do të bëhen të ditura pas miratimit nga KQZ-ja.

Ndërkaq, në mbledhjen që KQZ e mbajti të mërkurën, Ahmetaj bëri të ditur se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për vendvotime, ndërsa 33 shkolla të tjera jo, për shkak të refuzimit nga ana e drejtorëve të shkollave.

Ndryshe, më 21 prill pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të tanishëm të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potoku.

Për të qenë i suksesshëm referendumi kërkon pjesëmarrjen e 50 për qind plus një të votuesve më të drejtë vote.

Përfaqësuesit politik të serbëve këtu por edhe autoritetet në Beograd, thonë se është e vështirë të përmbushet ky kriter për shkak “të fryrjes së listave të votuesve”, por pa dhënë asnjë provë për këtë pretendim.

Ndërkaq autoritetet në Kosovë, akuzojnë Beogradin se po ushtron trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit, i cili në rast të dështimit nuk do të mund të organizohet sërish pa kaluar 12 muaj.