Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilat të martën kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve, ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar kohë më parë.

Sanja Kërtiniq nga Mitrovica e Veriut, ka thënë për mediat lokale në gjuhën serbe se, një grup qytetarësh “dëshiruan të paraqesin një iniciativë për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut”.

Sipas saj, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe qytetarët në komunat e tjera, por autoritetet lokale dyshohet se kanë refuzuar “iniciativën” e tyre.

Këto shkresa janë dërguar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Ballkani.info edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se kanë pranuar katër emaile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Ai tutje ka thënë se janë duke i trajtuar këto shkresa.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë Elezi. /Ballkani.info/

LEXO EDHE: