KQZ-ja tregon pse refuzoi 1,212 vota të diasporës, do t’i numërojë 4,639 sosh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se pas vendimit të Gjykatës Supreme ka filluar me procedimin e votave konform vendimit të kësaj gjykate.

“Fillimisht, meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit”, thuhet në fillim të njoftimit për media të KQZ-së, duke shtuar se përmes këtij procesi KQZ-ja arrin të dijë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime.

“Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ-ja ka renditur edhe arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim: 535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës; 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës; 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar; 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar.

“Pra, vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen këtu në QNR, e që janë gjithsej 4 mijë e 670”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

loading…