KQZ-ja: Në çdo kohë mund të vijnë fletëvotimet nga jashtë Kosovës

Pas lajmeve të publikuara në media se sonte mund të arrijnë fletëvotimet e para nga jashtë Kosovës, KQZ-ja ka sqaruar, se kjo është e natyrshme pasi aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës.

“Natyrisht se në çdo kohë mund të vijnë pakot e supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës sepse jemi në periudhën e votimit përmes postës. Kjo periudhë përmbyllet më 12 shkurt. Pra, deri në këtë datë fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja”, ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

I pyetur nga Klan Kosova se në çfarë adrese duhet të dërgohen fletëvotimet ai ka thënë se adresa për dërgimin e fletëvotimeve është: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Votimi Përmes Postës, Posta 6, kutia postare 351, 10000 Prishtinë Republika e Kosovës.

Në përgjigjen e tij ai ka thënë se KQZ në faqen e saj zyrtare ka publikuar informacionet e detajuara për votimin jashtë vendit.