KQZ-ja kufizon shpenzimet e subjekteve politike për fushatën zgjedhore në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje të kryesuar sipas radhës nga anëtari i KQZ-së, Alim Rama.

Në njoftimin për media, thuhet se në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës.

Nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, në shumën prej 43 mijë e 433 euro.

“Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është 86 mijë e 866 votues të regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.