KPK

KPK-ja i reagon Rrustemit të VV-së për deklaratat që bëri dje ndaj anëtarit të tyre

Këshilli Prokurorial i Kosovës, i ka reaguar deputetit dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Adnan Rrustemi.

Sipas KPK-së, Rrustemi, në seancën plenare të kuvendit, të mbajtur dje, ka shpifur dhe ka propozuar iniciativën për shkarkimin e anëtarit të KPK-së, Agron Beka, duke vënë në lajthitje, sipas tyre, komisionin dhe deputetët, pa pasur argumente ligjore por vetëm qëllim të realizimit të interesave politike për ndërhyrje në sistemin prokurorial, e veçanërisht sipas tyre, para proceseve të rëndësishme që janë në vazhdim e sipër.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të nderuar deputetë, Ju njoftojmë se, anëtari i KPK-së, z.Beka, për angazhimin e tij në KPK nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij, asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë. I njëjti me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar dhe po ndihmon sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese”.

“Tendenca e djeshme nga deputeti në fjalë, duke mos e ruajtur aspak profesionalizmin, duke iniciuar procedurë për shkarkim në bazë të disa letrave nga disa njerëz të akuzuar tanimë nga prokuroria, që fare nuk kanë të bëjnë me KPK-në dhe duke dashur që t’ia imponojë Kuvendit edhe informatat shpifëse dhe fyese, dëshmon se kjo urrejtje dhe tendencë është për të ndërhyrë në institucionin e pavarur dhe kushtetues – në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje, KPK-ja i ka kërkuar Rrustemit që pretendimet me prova, të supozuara nga ai, t’i deponojë në organin e akuzës, me qëllim që të dalë e vërteta në pah.

“Nëse i njëjti nuk e bënë një veprim të tillë dhe se pretendimet e z.Rrustemi nuk faktohen, atëherë ndaj tij do të ketë reagime ligjore”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, edhe njëherë, potencon se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron”.

“Tendenca për të folur në emër të KPK-së dhe tendencat për t’i zbatuar qëndrimet e keqpërdoruesve të Fakultetit Juridik – UIBM në Mitrovicë janë edhe një dëshmi se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend”, thuhet në reagim.