Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bëra sot (e diele) në një konferencë për media.
Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit përmes një reagimi për media kanë shprehur sërish shqetësimin e thellë lidhur me siç theksojnë ata, riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky reagim i KPK-së vije pasi kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se bazuar në disa të dhëna rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale, ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”, tha Kurti.
Ndërsa ministrja Albulena Haxhiu tha se “po të vepronte prokuroria me kohë ata persona do të arrestoheshin më herët, e jo dy muaj pas, kështu që duhet të jap dorëheqje edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, tha Haxhiu në konferencë për media.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me ministren Albulena Haxhiu pas reagimit të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, por ajo ka deklaruar se ende nuk e ka parë reagimin e KPK-së.
“Nuk kam pasur mundësi ta lexoj reagimin e tyre. Nuk mund të përgjigjem pa e parë fillimisht”, ka thënë shkurt ministrja Haxhiu për Reporteri.net.
Kujtojmë se rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, ka bërë që Qeveria e Kosovës konkretisht Ministria e Drejtësisë që të dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës dosjen për Vettingun.







