Kovaçevski: Marrëveshja në mes Vuçiq dhe Kurti është arritje e rëndësishme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas pajtimit të Kurtit dhe Vuçiqit që ta implementojnë aktin e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, ka thënë se marrëveshja do të jetë pjesë integrale e rrugës evropiane të të dyja palëve.

Ai para mediave tha se Ballkani perëndimor i përket Bashkimit Evropian.

“Dua të përshëndes marrëveshja e arritur sot për implementimin e marrëveshjes për udhërrëfyesin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të jetë pjesë integrale e rrugës evropiane të të dyja palëve. Mendoj se marrëveshja e sotme për zbatimin e aneksit të marrëveshjes, duke përfshirë edhe marrëveshjen për zbatimin e plotë i detyrimeve të marrëveshjeve të mëparshme nga dialogu është arritje e rëndësishme. Paqja pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushtet kyçe për përparimin e përshpejtuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Jam shumë i kënaqur që në emër të qytetarëve tanë dhe ekipit tim ishim mikpritës i këtij proces të rëndësishëm negociues nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… sepse Ballkani perëndimor i përket Bashkimit Evropian”, tha ai.

Kovaçevski ka uruar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre, duke uruar përparim dhe sukses dhe me dialog strategjik me SHBA-në.

Përndryshe, në takimin e 18 marsit në Ohër, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë aktin e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel./KP