Pas vetëm një sezoni të Niko Kovac në pozitën e trajnerit të Bayernit, një tjetër ndryshim pritet të bëhet në Allianz Arena. Kovac nuk mund ta shpëtojë pozitën e vet edhe nëse arrin të triumfojë në Bundesligë, dhe në DFB-Pokal.
Goal dhe Spox raportojnë se Niko Kovac do të shkarkohet nga pozita e trajnerit të Bayernit sapo të përfundojë ky sezon. Kroati ishte emëruar në pozitën e trajnerit gjatë verës së vitit të kaluar.
Ai kishte qenë mjaft mbresëlënës në pozitën e trajnerit të Eintracht Frankfurtit dhe për këtë arsye Bayerni kishte vendosur ta kthente Kovacin në Allianz Arena, ku kroati kishte luajtur gjatë karrierës së tij si futbollist.
Një fillim i ngadaltë në Bundesliga bëri që të ngrihen dyshime për aftësinë e Kovac qysh në fillim të karrierës së tij te kampioni gjerman. Bayerni kishte mbetur prapa në garën për titullin e Bundesligës, para se të eliminohej edhe nga Liga e Kampionëve, në fazën e 1/8 të finales kundër Liverpoolit.
Megjithatë, që nga atëherë, Bayerni e ka bërë një kthim në fuqishëm në garat vendore dhe e ka mundësinë ta përfundojë sezonin me dy tituj.
Kovac ka nevojë që skuadra e tij të mos pësojë humbje kundër Eintracht Frankfurtit të shtunën dhe Bayerni do të shpallet kampion i Gjermanisë për të shtatin sezon radhazi.
Pas një javë Bayerni do të përballet me RB Leipzigun në finale të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, më 25 maj.
Megjithatë, as këto dy trofe nuk do të mjaftojnë që Kovac ta mbajë pozitën e trajnerit, pasi që ai tashmë e ka humbur besimin e drejtuesve të klubit gjerman, sipas Goal.com.







