Bayerni e filloi sezonin në Bundesligë pozitivisht por me kalimin e kohës kriza e rezultateve preku ambientin e bavarezëve, teksa barazimi me Fortuna Dusseldorfin në fundajvë ka lëkundur pozitat e trajnerit Niko Kovac.

Megjithatë ish përzgjedhësi i Kroacisë ka refuzuar të heq dorë duke theksuar se nuk ekzistojnë në fjalorin e tij shprehje të tilla.

“Ata që më njohin mua e dijnë se jam një luftëtar. Gjatë gjithë jetës time më është dashur të luftoj. Fjalët ‘të heq dorë’, ‘ngritja e flamurit të bardhë’ nuk ekzistojnë në fjalorin tim. Kritikat janë gjithmonë të pranishme kur rezultatet e kërkuara nuk mbërrijnë. Na duhet vetëm një pikë për të mbërritur fazën tjetër në Champions, por ne dëshirojmë vetëm fitoren”, tha Kovac.

Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness foli me tone të ashpëra në përfundim të ndeshjes me Dusseldorfin, ndërsa në objektiv të tij ishte mbrotjtja të cilën e cilësoi si komedi.

Niko Kovac i është bashkuar Hoenessit në këtë mendim gjersa tha se nuk lejohen më gabime të tilla.

“Është e vertetë se pësojmë gola që nuk duhet pranuar. Ndjej keqardhje për Neuerin në shumicën e kohës. Sulmi është pjesa e vështirë e futbollit, mbrojtja është më e lehtë. Sigurisht se ndonjëherë mund të keqkuptosh situatat por kaq shumë gabime nuk lejohen”, përfundoi Kovac.