Barazimi 3-3

Kovac e cilëson të mrekullueshme ndeshjen ndaj Ajaxit

Bayerni e përmbylli grupin E si lider, duke lëshuar pikë në vetëm dy ndeshjet me Ajaxin, ndërsa trajneri i bavarezëve, Niko Kovac është ndarë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.

Ishte një përballje emocionuese ajo e mbrëmshme mes Ajaxit dhe Bayernit, me shumë gola, kartona të kuq dhe përmbysje rezultati, ndërsa në fund nuk pati fitues në “Johan Crujff Arena”.

“Mendoj se ishim pjesë e një ndeshje të mrekullueshme futbolli. Të dyja skuadrat luajtën në nivele të larta. Ne nuk dëshironim t’i lejonim hapësira për kundërsulm Ajaxit, për këtë arsye patëm një qasje më defensive dhe i kishim një apo dy kundërsulme në pjesën e parë. Goli ynë i parë ishte i merituar por pastaj e humbëm shumë lehtë topin dhe pësuam gola”, nënvizoi Kovac.

Trajneri kroat përgëzoi gjyqtarin e takimit, Clement Turpin, për drejtimin e sfidës por kritikoi vendimin e tij final për ta pranuar golin e fundit të barazimit të Ajaxit në minutën e 95-të.

“Kartoni i kuq për Wober ishte i drejtë për shkak se ndërhyu ashpër, gjithashtu edhe përjashtimi i Mullerit ishte i saktë. Të dyja vendimet për penallti ishin korrekte. Gjyqtari pati një ndeshje të mirë përjashto vendimit për të pranuar golin e fundit të Ajaxit, nuk jam gjyqtar por mendoj se ishte pozicion jashtë loje”, përfundoi Kovac.