Kosovo-Online me propagandë ruse të Sputnik-ut, i cilëson të “falsifikuara” masakrën e Reçakut dhe Bucha-s

Kosova ka ndaluar transmetimin e mediave ruse por jo edhe të mediave serbe që shpërndajnë lajme propagandistike nga mediat ruse. Media serbe Kosovo-Online e cila njihet për lajmet e rreme si dhe për shpërndarjen e propagandës ruse, është duke vazhduar me shpërndarjen e këtyre lajmeve. Kosovo-Online shpeshherë ishte demantuar nga institucionet e Kosovës për shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe propagandës ruse. Profesori universitar Ibrahim Gashi ka kërkuar ndalimin e mediave serbe të cilat shpërndajnë propagandë dhe dezinformatë ruse.

Së fundmi Kosovo-Online ka publikuar një artikull të medias ruse të ndaluar në Kosovë ‘Sputnik’ në të cilin masakra e forcave serbe ndaj popullsisë shqiptare në Reçak, cilësohet si e falsifikuar, ashtu sikurse masakra e forcave ruse ndaj popullit ukrainas në Bucha.

Në një intervistë të medias ruse Sputnik, të publikuar nga media serbe Kosovo-Online, drejtori i përgjithshëm i TV “St. Petersburg” Aleksandar Maljkeviq, kishte deklaruar se “Ajo që ndodhi në fshatin Reçak para bombardimit të RF të Jugosllavisë – falsifikimi i provave në interes të Perëndimit, tani po ndodh në Rusi në lidhje me provokimin ukrainas në fshatin Bucha”.

Ai vlerëson edhe rolin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për qëndrimin e tij dhe mbështetjen ndaj Rusisë.

Profesori universitar Ibrahim Gashi thotë për KosovaPress se është i kotë dhe i pakuptimtë ndalimi vetëm i mediave ruse në Kosovë, pa i ndaluar edhe mediat serbe të cilat shpërndajnë propagandë ruse në Kosovë.

Sipas Gashit, vendimi i institucioneve të Kosovës për ndalimin e mediave shtetërore ruse dhe portaleve të tyre për shkak të përhapjes së propagandës ruse dhe lajmeve të rreme, duhet të shoqërohet edhe me ndalimin e gjitha mediave serbe të cilat shpërndajnë propagandë ruse, përfshirë Kosovo-Online.

“Lejimi i shpërndarjes nga mediat serbe i lajmeve të mediave ruse të ndaluara në Kosovë është i pakuptimtë”, thotë ai.

Profesori universitar deklaron gjithashtu se ashtu sikurse diplomacia ruse dhe serbe, edhe mediat ruse dhe serbe janë duke bashkërenduar aktivitetet e tyre kundër Kosovës, vendeve perëndimore dhe NATO-s.

“Në çdo iniciativë kundër Kosovës, diplomacia serbe është mbështetur nga diplomacia ruse, të cilat kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre kundër Kosovës, vendeve perëndimore dhe NATO-s. Bashkërendim të ngjashëm të aktiviteteve kanë pasur edhe mediat serbe dhe ruse në fushatën e tyre dezinformuese, propaganduese dhe tendencën për ndryshimin e narracionit të luftës së Kosovës”, thotë ai.

Gashi thotë se tendenca për të mohuar masakrat dhe krimet e luftës është element i përbashkët i “vëllazërisë serbo-ruse”.

“Ashtu sikurse Millosheviqi kishte mohuar masakrat dhe krimet e luftës të Serbisë në Kosovë edhe Putini është duke i mohuar masakrat dhe krimet e luftës të Rusisë në Ukrainë. Mohimi i masakrave, krimeve, spastrimit etnik, gjenocidit, është një prej elementeve themeltare të ‘vëllazërisë serbo-ruse’”, thotë Gashi.

Pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Kosova i ishte bashkangjitur vendeve të BE-së dhe shteteve perëndimore për ndalimin e transmetimit të mediave shtetërore ruse. Komisioni i Pavarur i Mediave kishte ndalur transmetimin e kanaleve ruse në Kosovë, pasi të njëjtat besohet se shpërndajnë propagandë për luftën Ukrainë-Rusi dhe lajme të rreme.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte udhëzuar të gjithë Operatorët e Shërbimeve të Internetit (ISP) në Kosovë që të bllokojnë qasjen në domene dhe nën-domene për dy portale ruse për Russia Today (RT) dhe Sputnik.