Kosovari shkoi për të konvertuar 20 mijë franga në euro, hajni që po e priste i fshehur e grushton dhe ia merr paratë

Një person erdhi për t’i konvertuar 20 mijë frangat e tij në euro, në një këmbimore në Prizren, por ai nuk e dinte se aty do të gjendej një hajn i cili ishte në pritje të rasteve të tilla, ku filloi aksionin për vjedhjen e parave.

Ai ia mori viktimës paratë nga dora dhe më pas e goditi, por, viktima nuk u ndal aty dhe filloi ta ndjekë duke kërkuar ndihmë nga qytetarët tjerë që gjendeshin në rrugë.

E njëri prej tyre që i erdhi në ndihmë, po ashtu u grushtua nga hajni recidivist.

Por, pas disa tentimeve, i dyshuar u arrestua me ndihmën e një patrolle të policisë që gjendej aty afër.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj, tregoi në Edicioni Special se pas kapjes, hajnit iu janë marrë paratë dhe është dërguar në mbajtje.

Por, ky nuk ishte rasti i parë i tentim vjedhjes nga ky qytetar.

Ai të njëjtën gjë e provoi edhe javën e kaluar, ku edhe pati sukses, duke i vjedhur një mijë e 800 euro në po të njëjtën këmbimore, si dhe kishte disa vepra tjera penale të regjistruara.