Një aksident tragjik me tre të vdekur ka ndodhur në orët e para të së premtes në Portogruaro të Venecias, ku dy nga viktimat janë shqiptarë.
Vetura e drejtuar nga kosovari A.H. i cili mbeti i vdekur, ra në një kanal të Portogruaro. Nga ky aksident humbi jetën edhe shqiptarja E.Gj, 26 vjeçe dhe italianja, G.T, 20-vjeçare, shkruajnë mediat italiane.
Viktima nga Kosova është Altin Hoti, 22 vjeç nga fshati Ratkoc i Rahovecit. Për këtë humbje tragjike ka shkruar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
“I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni në Itali e të riut 22 vjeçar, Altin Hamëz Hoti nga Ratkoci. Edhe më tragjik e bën fakti që muaj më parë, poashtu në aksident komunikacioni, vdiq edhe vëllai i tij 18 vjeçar, Admiri! Viktima të aksidentit kanë qenë edhe dy të rinj tjerë, njëri shqiptar dhe tjetra italiane. Ngushëllimet më të sinqerta Hamzës dhe familjes Hoti! Ngushëllime familjes Gjeci nga Shqipëria dhe Di Tillio nga Italia! Altini, Egli dhe Giulia pushofshin në paqe!”, ka shkruar Latifi. /Ballkani.info/








