Vlorë

Kosovari cak i vjedhjes në Vlorë, Policia e arreston të dyshuarin

Një burrë nga Kosova ka qenë cak i vjedhjes në Vlorë.

Siç njofton Policia e Shtetit, lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar një 36-vjeçar, i cili ishte “me precedentë të mëparshëm për të njëjtin krim”.

Policia thotë se gjatë kontrollit fizik të të dyshuarit A.Ç, atij i janë gjetur një shumë parash (euro dhe lekë), dokumente dhe sendet e tjera të vjedhura nga automjeti i shtetasit kosovar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e një shtetasi kosovar, të parkuar në zonën e Lungomares, ishin vjedhur një shumë parash dhe çanta e tij me sende personale, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe bazuar në provat e siguruara, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Storm 20”. Si rezultat, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit: A. Ç., 36 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.