Kosovarët sërish drejt plazheve shqiptare, fluks në Morinë

Kjo fundjavë shënoi një tjetër rekord të kalimeve në pikën e përbashkët kufitare të Morinës.

Mijëra qytetarë dhe automjete të Kosovës iu drejtuan bregdetit shqiptar mëngjesin e sotëm, duket se ata po i shfrytëzojnë ditët e fundit të verës në maksimum.

Si rrallë herë, kolonat e mjeteve krijuan radhë të gjata deri në thellësi të territorit të Kosovës. Policisë kufitare i është dashur të ngrejë trarët e të punojë me procedurë të përshpejtuar.

Edhe pse jemi në muajin shtator, qytetarët e Kosovës vijojnë të frekuentojnë bregdetin.

Vetëm mëngjesin e sotëm kanë hyrë në Shqipëri rreth 10 mijë automjete, me më shume se 25 mijë qytetarë të Kosovës.