Futboll

Kosova U19 e përmbyllë kampin treditor në Hajvali

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar kampin seleksionues treditor. Në kampin Naional në Hajvali u grumbulluan gjithsej 26 vajza, disa prej kampionatit vendor, por edhe futbolliste tjera të cilat luajnë në klubet evropiane.

Këto tre ditë i shërbyen përzgjedhëses Albina Rrahmani për të parë mundësitë dhe kapacitetin aktual të ekipit të Kosovës, i cili para kualifikimeve Evropiane do të grumbullohet sërish për një fazë tjetër përgatitore.

Rrahmani u shpreh e kënaqur me punën treditore në kamp, derisa pohoi se duhet punë e përkushtim edhe më i madh drejt ndërtimit të një ekipi të denjë:

“Ka qenë një test i mirë edhe për vajzat edhe për ne. Do t’i përcjellim vazhdimisht sepse e dimë që është fillimi i sezonit. Sikurse te secila gjeneratë, shihet se kemi shumë potencial, kemi futbolliste teknike por ajo që na mungon pak është puna fizike, e që na mungon pothuajse në të gjitha gjeneratat. Megjithatë ishte kombinim shumë i mirë, me vajzat nga jashtë që kanë kualitet e fizik më të mirë, me vajzat vendore që kanë më shumë teknikë”, u shpreh përzgjedhësja Rrahmani.

Edhe futbollistja Kreshnike Ramaja u shpreh e kënaqur gjatë periudhës së kaluar në këtë kamp. “Kemi kaluar shumë mirë, kemi pas futbolliste që kanë ardhur për herë të parë. Jemi munduar të komponohemi edhe në lojë. Kampi ka shkuar mirë dhe besoj se kush e meriton do të udhëtojë për Gjibraltar për ndeshjet kualifikuese”, tha ajo.

Sa i përket ndeshjes së sotme, ku përzgjedhësja ndau lojtaret e grumbulluara në dy ekipe, ajo ka thënë se loja ka qenë mirë, por për shkak se ende nuk ka filluar stinori pranveror, nuk kanë qenë në gjendjen më të mirë fizike. “Ne ende jemi në fazë përgatitore me ekipe, prandaj e di se mundemi më mirë”, shtoi ajo.

Në anën tjetër Eliza Kadriu, e cila luan në ligën e Zvicrës, shprehu dëshirën e madhe për të luajtur për Kosovën dhe pohoi se është mirëpritur nga ekipi kombëtar.

“Kam shumë dëshirë të luaj për shtetin tim dhe kemi kaluar shumë mirë këtu. Luaj futboll tash e 10 vite dhe kam shumë dëshirë të luaj. Jam e shpejtë, bëj lojë taktike dhe jam shumë e mirë”, u shpreh futbollistja Kadriu.

Kombëtarja e Kosovës U19 do t’i luajë ndeshjet e rrethit të dytë të kualifikimeve për Euro 2024 në Grupin 3 të Ligës B prej 2 deri më 8 prill në Gjibraltar. Krahas Kosovës dhe Gjibraltarit në grup janë edhe Luksemburgu dhe Izraeli.