“Kosova s’ka infermierë për shtetet tjera”, Krasniqi uron nënën e tij dhe gjithë infermierët e Kosovës në ditën e tyre

Në Ditën e Infermierisë, kryetari i PDK’së Memli Krasniqi, krahas falënderimit për të gjithë infermierët e Kosovës, në një postim në Facebook, ka shkruar edhe për kontributin e nënës së tij në këtë profesion.

“Nëna ime Edibja, tash e 45 vjet është në shërbim të qytetarëve të vendit si infermiere. Një kontribut i gjatë dhe jo pak i lodhshëm, por, që unë e di se po të kishte mundësi – ajo do ta bënte përsëri nga dita e parë.  Dhe, këtë, për dy arsye: E para, sepse ky është profesioni i infermierit: një jetë në shërbim të tjerëve – posaçërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Shumë punë, sakrificë e mund për ta bërë tjetrin të ndihet më mirë. Dhe, e dyta, sepse kështu janë nënat tona. Plot pasion, zemër dhe empati”.

“Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, dua që të falënderoj jo vetëm nënën time, por të gjithë infermierët e vendit tonë, vijën e parë të kujdesit shëndetësor, të cilët japin shpirtin për të na mbajtur të sigurt dhe të shëndetshëm.  Përkushtimi, dhembshuria dhe profesionalizmi juaj bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tonë si individë, në familjet tona dhe në shtetin tonë. Prandaj, faleminderit për gjithçka që jeni dhe gjithçka që bëni”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë, “në mënyrë që ata të mos largohen nga vendi”.

“Natyrisht, krahas këtij falënderimi, është obligim i yni, e, posaçërisht i Qeverisë, që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë. Kosova nuk ka infermierë për shtetet tjera. Ato dhe ata na duhen në Kosovë, që vullnetin dhe profesionalizimin e tyre ta dhurojnë tek njerëzit tanë. Nuk ndihet askush më keq sesa infermierët kur nuk mund t’i ofrojnë një shërbim një pacienti në mungesë të pajisjeve ose ilaçeve – siç, fatkeqësisht, po ndodh akoma në Kosovë. Prandaj, më shumë kushte për infermierët, për më shumë kujdes ndaj qytetarëve tanë.  Gëzuar Dita juaj dhe faleminderit për kontributin!”, shkruan kreu i PDK-së.