FIFA, si organ qeverisës i futbollit botëror, i rendit kombëtaret më të mira pas çdo afati të ndeshjeve kombëtare, varësisht nga rezultatet e fundit.

Aktualisht, Kosova radhitet në pozitën e 130-të në ranglistën e FIFA-s. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit të Dardanëve pritet që ta ngrenë Kosovën përsëri më lartë në këtë listë.

FIFA do ta publikojë ranglistën e re më 4 prill, saktësisht pas nëntë ditëve. Përkundër që në dy ndeshjet e zhvilluara gjatë marsit, Kosova arriti të sigurojë vetëm dy barazime, “Dardanët” priten ta arrijnë një rekord të ri, duke u ngritur edhe më lart në këtë listë.

Kjo pasi që përkundër që ishin vetëm barazime, Kosova fiton pikë nga këto ndeshje sepse kundërshtarët e saj kishin rangim më të mirë nga FIFA.

Bullgaria radhitet në pozitën e 48-të në ranglistën e FIFA-s, me gjithsej 1425 pikë të grumbulluara. Nga barazimi 1:1 me Bullgarinë, Kosova do t’i fitojë 6.75 pikë.

Në anën tjetër, edhe pse Danimarka (10) ka rangim shumë më të mirë se Bullgaria, Kosova i fiton vetëm 3.6 pikë nga barazimi 2:2, pasi që ndeshja nuk kishte karakter garues, por ishte vetëm miqësore.

Këto pikë, të fituara nga ndeshjet e marsit, do t’i shtohen pikëve aktuale të Kosovës, 1113, dhe “Dardanët” pritet të ngrihen edhe më shumë në këtë listë. Edhe nëse ngritja do të jetë vetëm për një pozitë më lartë, Kosova do të thyejë rekord, pasi që nuk ka qenë asnjëherë në pozitë më të lartë.