Kosova prin me Tuberkuloz

Rastet me sëmundje të tuberkulozit në Kosovë, kanë shënuar rënie, megjithatë Kosova vazhdon të mbetet e para në rajon sa i përket rasteve me këtë sëmundje.

Krahasuar vitin 2000, me vitin 2018, rastet me tuberkuloz kanë rënë për më shumë se 100 për qind.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Rukije Mehmeti, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se mosha më e prekur me këtë lloj të sëmundjes është ajo rinore.

“Kjo është sëmundje në rënie të dukshme, mirëpo megjithatë Kosova zë vendin e parë në regjion. Nëse e shohim disa të dhëna nga 2000 kur për herë të parë kemi filluar të kemi të dhëna më të sigurta dhe të sakta, që ishin 1764 raste, ndërsa në vitin 2018 numri i të sëmurëve ka rënë në 700 raste. Që do të thotë është zvogëluar numri. Kosova edhe ashtu është në vend që ka një popullatë të re, dhe mosha më e prekur prej kësaj sëmundje është 15 deri në moshën 34 vjeçare”, thotë ajo.

Pulmologia Mehmeti thotë se kushtet për trajtimin e kësaj sëmundjeje janë të mira. Edhe pse pranon se gjatë vitit të fundit kanë pasur mungesë të aparaturave adekuate.

Thotë se kjo sëmundje shërohet më lehtë, nëse pacientët diagnostikohen me kohë.

Fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë kontrolla të rregullta.

“Kushtet për me i diagnostifikuar i kemi, tash e një vjet nuk është punuar bronkoskopia. Mirëpo tani e kemi marrë bronkoskopin e ri. Kemi marrë një ultrazë për mushkri dhe mund të them se tani ka mundësi diagnostike mjaftë të mira. Fatkeqësia më e madhe është se pacientët po paraqiten vonë, sepse te ne nuk ekziston një kulturë shëndetësore në të cilën pacientë duhet me mendua për veten. Shumë të paktë janë ata që një herë në vit bëjnë një kontroll të detajuar komplet për me pa se ku gjendet”, thotë ajo.

Drejtoresha e Pulmologjisë jep edhe disa këshilla se si të mbroheni nga kjo sëmundje.

“Ajri sa më i pastër mundësit për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme janë më të vogla. Ne mendojmë më shumë në ndërtimin e banesave dhe tullave se sa në hapësira të gjelbëruar. Sikurse secili prej nesh me i mbjell nga një pemë do të mbjellshin një milion pemë në vjet. Kjo nuk i kushton askujt shumë, po do të kontribuonim shumë në pastrimin e ajrit në gjithë Kosovën”, thotë ajo.

Mehmeti thotë se klinika që ajo drejton ka nevojë për staf profesional, në të kundërtën pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.

“Për staf duke e pasur parasysh kur unë kam filluar me punuar nuk ka pasur ndoshta nevojë aq shumë. Mirëpo duke u zhvilluar mjekësia duke u paraqitur nevoja për trajtim mundësi diagnostike që do të thotë nevoja për staf është gjithmonë mëse e nevojshme. Kemi nevojë për infermierë edhe për mjekë. Çdo ditë kemi nevojë për hapësira, për trajtim të të sëmurëve që na me ju zvogëlua nevojën pacientëve me shkua jashtë Kosovës për trajtim”, ka thënë ai.

Megjithatë, thotë se kohëve të fundit vërehet një përmirësim i kushteve në sistemin shëndetësor të vendit.

“Është hera e parë që diçka po shihet është e prekshme, që diçka po punohet, por mund të them mjekësia është det pa fund dhe me shkop magjik nuk mundemi me rregullua të gjitha, por është e rëndësishme dëshira ka persona që po duan me rregulluar shëndetësinë ka fillua investime me pas se më përpara dhe në hallka të shumat janë bërë punë të mëdha”, thotë ajo.

Kujtojmë se turbekulozi është një infeksion bakterial, i shkaktuar nga bakteri Mycobacterium turbeculosis dhe përhapet nga njëri person te tjetri përmes rrugëve ajrore.

Ai prek kryesisht mushkëritë e pacientit, por ka raste që preken edhe pjesë të tjera të trupit, si gjëndrat, kockat dhe sistemi nervor.