Kosova përshëndet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Bahreinit dhe Izraelit, të ndërmjetësuar nga SHBA-të

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës ka përshëndetur deklaratën e përbashkët trepalëshe për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Mbretërisë së Bahreinit dhe Shtetit të Izraelit, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Republika e Kosovës uron Shtete e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bahreinit dhe Shtetin e Izraelit për zotimin në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Mbretërisë së Bahreinit”, deklaroi Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, duke vlerësuar se “deklarata e sotme demonstron vullnetin e fortë dhe dedikimin amerikan, të shtetit të Izraelit dhe Mbretërisë së Bahreinit për vendosjen e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme”.

Deklarata e sotme trepalëshe, vjen pas marrëveshjes historike të paqes në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritura nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

Republika e Kosovës mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqe në Lindjen e Mesme dhe në pjesën juglindore të Evropës, si hapa drejt sigurisë dhe stabilitetit global.

Sipas Kryediplomates Haradinaj Stublla, Republika e Kosovës mirëpret këto të arritura historike dhe shpreson që​ ato të shërbejnë si themel për paqe në Lindje të Mesme dhe si përparime thelbësore në rrugën drejt paqes universale në botë.