Kosova pa asnjë rast të Nilit Perëndimor, Mehmeti: Të gatshëm për të trajtuar çdo pacient

Në Klinikën Infektive deklarohen se deri më tani nuk kanë të konfirmuar asnjë rast me virusin e etheve të Nilit Perëndimor, por shprehen të gatshëm dhe të përgatitur për të trajtuar çdo pacient, i cili eventualisht mund të preket nga ky virus i cili tashmë ka arritur në Ballkan.

Infektologu në Klinikën Infektive, Murat Mehmeti në një intervistë për KosovaPress është shprehur se edhe ethet e Nilit Perëndimor nuk kursejnë asnjë moshë nga infektimi, por më të rrezikuar janë të moshuarit dhe personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike.

“Deri më tani nuk është që kemi pasur ndonjë rast të konfirmuar edhe pse ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi herë pas herë raste të meningjiteve dhe ne gjithmonë kur i testojmë këta persona i testojmë në drejtim të shumë viruseve që mund të shkaktojnë një ndezje të trurit, përkatësisht të baktereve e në këtë rast testojmë edhe në drejtim të West Nil virusit, mirëpo po flasim për sivjet apo për këtë periudhën kur faktikisht ka më së shumti mushkonja edhe mundësia e përhapjes është më e madhe, deri më tani nuk është që kemi pasur ndonjë rast me West Nil virus… Ne në përgjithësi i trajtojmë pasojat në kuptim të trajtimit, edemës së trurit, trajtimi simptomatik dhe ne si klinikë pa kurrfarë dyshimi që jemi të gatshëm që çdo rast të mundshëm ta trajtojmë në mënyrën më të mirë dhe jemi të përgatitur pa kurrfarë dyshimi”, u shpreh Mehmeti.

Infektologu Mehmeti u shpreh se virusi i Nilit Perëndimor përhapet nga pickimi i mushkonjave, por që bartja e këtij infeksioni prej një personi të infektuar tek një person tjetër është pothuajse e pamundur.

“Është një virus i cili realisht bartet përmes mushkonjave, dihet që rezervari i këtij virusi zakonisht janë shpendët apo zogjtë dhe ndërkohë që mushkonjat pastaj infektohen prej zogjve dhe më pastaj mund ta bartin sëmundjen apo infeksionin me rastin e pickimin e njerëzve mund ta bartin tek njerëzit… Përhapja e këtij virusi prej një personi tek tjetri duke folur, apo nëse kolliten ose nëse përqafime të ngjashme, por kjo mund të përhapet vetëm në situata të caktuara shumë specifike sikur në situatën kur një person i cili e ka virusin jep dhuron gjak përmes transfuzionit të gjakut, apo në rastet tek shtatzënat ka mundësi që ta bartë virusin gjatë shtatzënisë apo gjatë lindjes tek fëmija, mirëpo bartja e virusi prej një personi tek tjetri pothuajse është e pamundur, rruga kryesore e përhapjes është përmes mushkonjave”, tha ai.

Mehmeti derisa ka radhitur disa nga simptomat e këtij virusi, tha se pacientët e infektuar me ethet e Nilit Perëndimor në 80% të rasteve e kalojnë sëmundjen pa simptoma.

“Ky është një infeksion i cili në shumicën e rasteve po flas në 70 deri në 80% të rasteve kalon pa kurrfarë simptoma apo simptoma shumë të lehta që mund të jenë në formë temperature, etheve, dhimbjes së trupit, muskujve, nyjeve dhe kështu me radhë. Në raste shumë të rralla një përqindje shumë të vogël 2 deri 3 % është e vërtetë që ky virus apo ky infeksion që mund të zhvilloj manifestime shumë të rënda… Kemi pasur raste të tilla që kanë pasur formë të rëndë të sëmundjes mirëpo që në shumicën e rasteve e kanë kaluar mirë“, tha ai.

Infektologu i Klinikës Infektive, Murat Mehmeti apelon tek qytetarët të mos alarmohen për virusin e Nilit Perëndimor, porse të bëjnë kujdes.

Lidhur me situatën pandemike me COVID-19, Mehmeti tha se tashmë në Klinikën Infektive vërehet një rënie e numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim si pasojë e infektimit me koronavirus.

Ai tha se aktualisht në këtë klinikë numri i të shtrirëve me COVID-19 është i vogël.

“Sa i përket COVID-it fatmirësisht ditëve të fundit jeni dëshmitarë që kemi rënie për fat të mirë të numrit të rasteve të reja dhe po besojmë që edhe kjo valë është në rënie e sipër, kemi pacientë të shtrirë, por numri është relativisht i vogël i pacientëve të shtrirë dhe ne po besojmë që kemi të bëjmë të bëjnë me një rënie të numrit të rasteve.. simptomatologjia nuk ka qenë e tillë çfarë ka qenë në valët e kaluara edhe kjo sigurisht sepse vaksina e ka bërë të vetën”, tha Mehmeti.

E gjatë ditës së sotme Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik përmes një njoftimi ka deklaruar se në Kosovë nuk ka prezencë të virusit të Nilit Perëndimor, por theksuan se ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.

Rasti i parë këtë vit me ethet e Nilit Perëndimor është konfirmuar në provincën e Padovës në Itali që nga fillimi i verës 2022.

Ndërsa sot edhe Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se në vendin tonë nuk ka akoma raste të raportuara me Nilin Perëndimor.