Diskutohet mundësia e trajnimeve në Kosovë për mësimdhënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqri Bytyqi sot ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa, me bashkëpunëtorë, me të cilët kam biseduar rreth gjendjes së arsimit në gjuhën shqipe në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Gjatë këtij takimi është biseduar me theks të veçantë rreth mungesës së teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në këtë trevë dhe iniciativave të vazhdueshme për të siguruar këto tekste.

“Shpreha gatishmërinë e MAShT që të ndihmojë jo vetëm në këtë proces, por edhe në bashkëpunime të reja, me qëllim që të ofrohet arsim më cilësor për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. U zotova se do të ruhen kuotat në universitetet publike të Kosovës për studentët nga këto komuna dhe theksova se kjo kuotë edhe mund të rritet nëse ka interesim më të madh të të rinjve që të studiojnë në Kosovë“, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Ai gjithashtu ka treguar se në takim është diskutuar edhe për mundësinë e ofrimit të trajnimeve në Kosovë për mësimdhënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës./Ballkani.info/