Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka bërë një paralajmërim shqetësues sot përmes një postimi në rrjetet sociale.

I pari i kryeqytetit ka shkruar se Kosova është në prag të humbjes së organizimit të “Lojërave Mesdhetare 2030”.

“Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)!”, shkroi fillimisht Rama.

“Sot, ICMG konfirmon mungesën e përgjigjeve institucionale dhe si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave. Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, shtoi i pari i kryeqytetit.

“Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030, e kemi punuar në Masterplan, i kemi përcaktuar projektet dhe lokacionet, i kemi votuar në Asamblenë e Kryeqytetit. Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!”, shkruan tutje Rama.