Kosova në negociata me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë për blerje të rrymës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se po vlerësojnë mundësitë për të blerë dhe këmbyer rrymë me disa shtete.

Rizvanolli theksoi se me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë janë aktualisht në negociata.

“Me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Greqinë, Bullgarinë, jemi duke vazhduar negociatat për të parë mundësitë qoftë për këmbim qoftë për blerje, aktualisht nuk kemi marrëveshje”, tha Rizvanolli gjatë konferencës për media.

Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot Termocentralin Kosova A në KEK.

Ajo tha se blloku A3 është kthyer në punë para afatit, derisa njoftoi se blloku A4 pritet të kthehet në operim në ditët e para të tetorit.

“Ne e kishim planifikuar vizitën qysh prej të premtes, sepse dëshironim të vinim të shohim se si është situata, se si po shkojnë riparimet edhe remonti kapital në bllokun A4 edhe riparimet pas rënies së befasishme të bllokut A3. Dhe ne u befasuam për së miri, kur sot dëgjuam në mëngjes që blloku A3 është rikthyer falë punës së pandalur dhe gjatë gjithë natës dhe ditës të punëtorëve dhe udhëheqësve të njësive. Për këtë jemi pafundësisht falënderues.”

“Siç u informuam edhe direkt nga stafi, njësi A4 pritet të kthehet në operim më së largu në ditët e para të tetorit, mirëpo punëtorët dhe udhëheqësit janë duke bërë gjithçka që është e mundur që kjo kohë të shkurtohet edhe më tej, siç është shkurtuar koha e kthimit të A3-shit, e cili fillimisht ka qenë e paraparë që të kthehet pas dy ditësh, por është kthyer sot”, tha Rizvanolli para mediave.