Kosova në gatishmëri të dhurojë edhe gjak në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut thotë se ka ngritur nivelin e mobilizimit të stafit të saj në rast të paraqitjes së nevojës për t’ju dalë në ndihmë bashkëkombësve me produkte të gjakut.

“Sipas informacioneve nga kontaktet e vazhdueshme mes dy qendrave të transfuzionit, për momentin nuk ka nevoja të shtuara për produkte të gjakut, dhe kërkesat për produkte gjaku janë duke u mbuluar në nivel vendor”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, QKKTGJ-ja thotë se do jetë në gatishmëri të plotë në rast se paraqitet nevoja shtesë për produkte të gjakut, përmes mobilizimit të dhuruesve të gjakut.

“Marrë parasysh që shumica e produkteve të gjakut kanë jetëgjatësi të kufizuar të përdorimit klinik, deri në një njoftim të radhës, luten qytetarët të mos organizojnë aksione për dhurim të gjakut. Nëse ata do të kenë nevoja shtesë, atëherë QKKTGJ do të apelojë për dhurim të gjakut”, thuhet në njoftim.