Në kuadër të konferencës ministrore “Procesi i Brdos”, që u mbajt në Shkup, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka zhvilluar takime bilaterale me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Davor Bozinoviq si dhe me atë të Sllovenisë, Bostjan Poklukar.
Në takim mes ministrit Mustafa dhe homologut të tij kroat, në mes të tjerash u diskutua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, marrëveshjet e bashkëpunimit me policinë, dhe fushën e forenzikës.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe Kroacisë për njohjen e patentëshoferëve.
Ndërsa, në takim me ministrin e brendshëm të Sllovenisë, Bostjan Poklukar, u diskutua lidhur me marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin policor në mes të të dyja vendeve.
Në të dy takimet, Mustafa mori përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.








