Kosova merr masa për të penguar përhapjen e murtajës afrikane të derrit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës (AUV) thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes murtaja afrikane e derrit.

Rasti i parë në Kosovë u konfirmua më 17 korrik në një fermë derrash në komunën e Kllokotit – pjesa jugperëndimore e vendit.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky, njëherësh, është rasti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje në historinë e Kosovës.

Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër.

Sipas gjetjeve të deritashme shkencore, sëmundja nuk transmetohet te njerëzit e as te kafshët e tjera.

Thaçi thotë se të gjithë derrat e infektuar në fermën në Kllokot janë asgjësuar.

Sipas tij, atje kanë qenë 22 derra – pesë prej të cilëve kanë qenë të ngordhur.

Thaçi thotë se zyrtarët e AUV-it i kanë asgjësuar pastaj të gjitha kafshët në fermë, pasi Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar praninë e murtajës afrikane të derrit në të.

“Sipas ligjit, kërkohet që të gjithë derrat e pranishëm në fermë të asgjësohen, në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes”, thotë Thaçi.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, AUV-i ka krijuar një shtab të krizës, thotë ai, ndërsa ka nisur edhe hulumtimin epidemiologjik të fermave të derrave që gjenden në perimetrin prej tri kilometrash larg fermës me derra të infektuar.

Thaçi shton se therja e kafshëve që tregojnë çfarëdolloj shenje klinike të sëmundjes në fjalë, është e ndaluar.

Simptomat e murtajës afrikane të derrit përfshijnë: ethe, mungesë oreksi, lëkurë të skuqur, diarre dhe të vjella.

Thaçi, nga AUV-i, bën të ditur se numri i fermave të derrave në Kosovë është 5.242. Pjesa më e madhe e tyre gjendet në rajonin e Mitrovicës, Gjilanit, Pejës dhe Gjakovës.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në vend jetojnë mbi 47 mijë derra, që përbëjnë 8.6 për qind të numrit të përgjithshëm të kafshëve.

Humbje ekonomike
Kurtesh Sherifi, ligjërues i lëndës Sëmundja Infektive Virale te Kafshët në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se murtaja afrikane e derrit nuk e rrezikon shëndetin publik, porse ka ndikim vetëm në aspektin ekonomik, për shkak të ngordhjes apo asgjësimit të derrave të infektuar.

“Nuk ka rrezik te njerëzit. Problemi qëndron te humbjet ekonomike. Pothuajse një pjesë e shteteve evropiane janë të prekura nga murtaja afrikane e derrit dhe ato kanë frikë se u dëmtohet ekonomia, dëmtohet fermeri… dhe kanë obligime financiare në kontrollin e sëmundjes”, thotë Sherifi.

Ai shton se izolimi dhe asgjësimi i derrave të infektuar me murtajë afrikane janë disa prej masave që parandalojnë përhapjen e sëmundjes.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, në periudhën 9 qershor – 29 qershor, në Evropë janë raportuar 154 raste të derrave të infektuar nga murtaja afrikane. Nga kjo shifër, 28 janë raste të derrave të butë dhe 126 të derrave të egër.

Sipas kësaj organizate, këto raste janë regjistruar në Kroaci, Çeki, Greqi, Hungari, Letoni, Maqedoni të Veriut, Poloni dhe Rumani.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural se a ka kërkuar të ndalohet importi i produkteve të përpunuara nga mishi i derrit nga shtetet ku është konfirmuar kjo sëmundje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Në ueb-faqen e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve thuhet se, duke mos pasur një vaksinë efektive kundër murtajës afrikane të derrit, sëmundja jo vetëm që pengon shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, por ka ndikime të dëmshme edhe në biodiversitet, si dhe në jetesën e fermerëve.

Sëmundja është identifikuar për herë të parë në vitin 1921 në Kenia. /REL/