Autoritetet në Kosovë me të drejtë kërkojnë “ripërzierje letrash” në tryezën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por njëkohësisht duhet të dëshmojnë “vullnet të besueshëm” drejt zbatimit të angazhimeve që kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se kërkesa e Kosovës që t’i vendosen sanksione Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – mund të jetë e drejtë në këtë moment, megjithatë nivelet qendrore duhet të përgatiten edhe për një skenar jo fort të dëshirueshëm: nëse BE-ja vendosë të mos e ndëshkojë Serbinë për inkursionin në Kosovë.
“Realisht pres një përzirje letrash dhe një stagnim në dialog. Nuk do të jetë i lehtë kthimi në tavolinë pas rastit në Banjë dhe pala ndërkombëtare nuk e ka shumë të lehtë eskivimin e atyre pamjeve dhe implikimin e shtetit serb. Është një test politik edhe për vetë bashkësinë ndërkombëtare se si t’i qasen procesit pa shkuar në një bllokadë totale qoftë nga Kosova, qoftë nga Serbia”.
Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” thotë se rrjedha e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe aktet e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës janë veçse “produkte të mungesës së rezultateve” në procesin e dialogut. Prandaj, sipas tij, ngjarjet fatale të 24 shtatorit duhet që së paku të nxisin “rimendimin e strategjisë” së BE-së dhe SHBA-ve në këtë proces që assesi të arrijë rezultete të prekshme në terren.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur ndaj organeve të rendit, ku përveç dëshmive që grupi terrorist me gangsterin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është stërvitur në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për një arsenal armësh që i janë dhënë në shfrytëzim kësaj bande kriminale për sulmin e organizuar ndaj Kosovës, shkruan AP.
Kamberi thekson se Qeveria e Kosovës, së bashku me autoritetet e tjera përgjegjëse, duhet t’i ofrojnë sa më shumë dëshmi organizatave ndërkombëtare sikurse Kombet e Bashkuara (OKB), NATO-ja dhe BE-ja lidhur me ngjarjen vdekjeprurëse në Banjë, në mënyrë që të qartësohet ndërkombëtarisht përgjegjësia e Serbisë. Njëjtë konsideron edhe Fetahu, derisa parasheh një “ofensivë totale” për t’i kthyer palët në dialog pas qartësimit të hetimeve.
Në linjë me zhvillimet aktuale, problemi i integrimit të komunitetit serb është rënduar edhe më tej nga shpërthimi i dhunës në pjesën veriore të Kosovës, veçanërisht në saje të një “fryme të re” që rrezikon të përhapet me shpejtësi, duke mbjellë jo vetëm mosbesim, por edhe forma të skajshme të militarizimit dhe përforcimit të ndjenjës së rezistencës. Prandaj kërkohet dialog konstruktiv me serbët e Kosovës.
Njohësit e proceseve politike vlerësojnë se integrimi i serbëve mund të bëhet vetëm duke ndërtuar mirëbesim dhe duke çuar sinjale se qeveria kosovare është e gatshme për bashkëpunim, përfshirë ofrimin e zgjidhjeve për “çështje të vështira” sikurse hartimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që SHBA-të dhe BE-ja e përshkruajnë këtë “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.
Kamberi thotë se njëkohësisht me çështjet e forcimit dhe ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në bashkërendim me NATO-n dhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), autoritetet kosovare duhet t’i dinamizojnë veprimet rreth aspektit të brendshëm civil dhe politik, në funksion të integrimit të serbëve të Kosovës në përgjithësi, në rend të parë serbët e veriut.
E ndërsa besimi mes Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb mund të pësojë rënie, intensiteti i përshkallëzimit të tensioneve vjen duke u rritur, posaçërisht kur zyrtarët serbë në Beograd po bëjnë përpjekje që publiku në pjesën veriore të territorit kosovar t’i cilësojë strukturat terroriste “heronj e dalzotës”, por edhe “udhëheqës të çlirimit” në rastin më të keq.
Integrimi i sërbëve të Kosovës, sipas Kamberit, i cili është gjithashtu Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, mund të arrihet nëpërmjet përpjekjeve për “dialog të brendshëm”, shoqëruar me “narracion zyrtar konstruktiv dhe përafrues” dhe që reflekton gatishmëri për t’i dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e serbëve kosovarë.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet t’i dinamizojë veprimet edhe duke lehtësuar “hapësirat për pluralizëm politik” në mesin e komunitetit serb dhe së këndejmi, duke dëshmuar “interesim dhe vullnet” për t’i organizuar sa më shpejtë zgjedhjet e reja lokale në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe për të prodhuar legjitimitet demokratik.
Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb dhe diplomatët në Uashington dhe Bruksel kanë kërkuar që të propozojnë diçka konkrete.

“Qeveria e Kosovës duhet ta marrë në duart e veta lidershipin e procesit të integrimit të serbëve të Kosovës. Ngjarja e Banjës, përfshirë edhe reagimet e Beogradit ndaj saj, kanë dekredibilizuar dhe deligjitimuar idenë e integrimit të serbëve të Kosovës para së gjithash në vertikalën Beograd-Lista Sërpska. Ngjarja e Banjës ka vërtetuar se ai integrim duhet të bëhet para së gjithash në vertikalën/horizontalën Prishtina – serbët e Kosovës”, thotë Kamberi.
Fetahu nga ana tjetër nënvizon se Kosova duhet të ketë një listë të kushteve për rikthim në tryzën e bisedimeve dhe të kërkojë me ngulm implementimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit dhe ri-negocim në aspektet ku është e mundur. Ai liston një hapat që, sipas tij, duhet t’i ndjekë ekzekutivit kosovar para se të kthehet në dialog.
“Dënim për Radoiçiçin – udhëheqësin e grupit terrorist – dhe ekstradimin e tij në Kosovë, hetim dhe dënim të tërë linjës komanduese të sulmit, sanksionim të Serbisë nga ana e BE-së duke kërkuar përgjegësi penale dhe politike në formë dënimesh dhe sanksionesh shtetërore”, thotë Fetahu, derisa shton se “qeveria duhet të kërkojë qartësi strategjike nga faktori ndërkombëtar pasi dykuptimësia strategjike po del e gabuar në dy vitet e fundit në raport me Serbinë”.
Shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë, posaçërisht pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe bllokimit të ecurisë së procesit të dialogut që aktualisht po mbanë të zënë diplomatët perëndimorë, duket se po fundoset përsëri e zhgënjyer. Diplomacia e eurokratëve po kthehet më shumë në arsye për papajtueshmëri sesa për të zgjidhur problemet.







