Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të premten ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë janë 1.586.659 banorë, prej të cilëve 795.046 meshkuj dhe 791.614 femra.

Kurse sipas rezultateve në Kosovë janë regjistruar 600 mijë banorë jo rezidentë, raporton Ballkani.info.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas publikimit të rezultateve ka folur për rëndësinë e këtyre statistikave.

Kurti gjatë konferencës për media ka thënë se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet me prioritet gjatë këtij viti.

“Pa të dhëna të sakta, pa statistika edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi  të mëdha. Unë jam krenar si kryeministër për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces. Unë personalisht në një periudhë të shkurtër kohore kam biseduar disa herë ASK-në për të ofruar mbështetjen time. BE, USAID bazohen në të dhëna tjera statistikore për të marrë vendime të tjera. Ky angazhim e rrit integrimin në arenën ndërkombëtare. Një agjenci e fuqishme e statistikave e cila ofron statistika të rëndësishme është një agjenci e çmuar për vendin”, ka thënë Kurti.

Ai tha se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve të marrin vendime të bazuar në dëshmi.

“Pa statistika cilësore, edhe vendimet mund të jenë jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi është shumë më rendësi për të ofruar. Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurtë se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha shefi i ekzekutivit, raporton Ballkani.info.

Nga ana tjetër, koordinatorja për Zhvillim në Kombet e Bashkuara, Arnhild Spence, ka thënë se zhvillimi i qëndrueshëm bazohet në të dhëna dhe se në Kosovë kemi shumë të tilla.

Ajo ka thënë se ASK në këtë projekt e ka zbatuar me standarde ndërkombëtare.

“Regjistrimi i popullatës është një arritshmëri në shtegtimin kosovar drejt zhvillimit. Pa të dhëna nuk mund të arrijmë të mos e lëmë askënd prapa. Jam shumë krenar për pjesëmarrjen e të gjithë regjistruesve, lëvdata për ASK që ka zbatuar standarde ndërkombëtare. OKB do të vazhdoj që të investojë në këtë drejtim”,tha Spence./Ballkani.info/

LEXO EDHE: