OKB

Kosova kthehet në agjendën e Këshillit të Sigurimit, Serbia falemnderon Kinën dhe Rusinë

Mbledhja e ardhshme në të cilën do të shqyrtohet raporti për gjendjen në Kosovë është përcaktuar të mbahet më 14 nëntor.

Këtë e ka konfirmuar për mediat serbe, shefi i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Është miratuar programi për Këshillin e Sigurimit për nëntor, ku mbledhja për Kosovën është rikthyer sërish në rend dite dhe është caktuar të mbahët më 14 nëntor”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar se disa vende edhe më tej kanë këkruar që Kosova mos të jetë në rend dite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, këto vende nuk kanë kërkuar votim për këtë, por vendimin ia kanë lënë kryesuesit të Këshillit.

“Dëshiroj që ta falemnderoj Kinën për mbështetje të rëndësishme që Kosova sërish të jetë në rend dite në Këshillin e Sigurimit, si dhe Rusinë dhe vendet tjera anëtare të cilat e kanë mbështetë këtë propozim”, ka thënë Daçiq.

Sipas Betas, më 14 nëntor do të shyqrtohet raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

Raporti për UNMIK-un ishte dashur të shqyrtohet në gusht, por atëherë Këshillin e Sigurimit e kryesonte Britania e Madhe e cila si vendet tjera perëndimore ka qëndrim që mos të mbahen më mbledhje për Kosovën, gjë që kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Në shtator KS-në e drejtonte Amerika e cila gjithashtu është për ndryshimin e formatit, derisa në tetor ishte kryesuese Bolivia.

Sot drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka marrë Kina.