Ministri i Drejtësisë

Kosova koordinohet me UNICEF-in për përmirësimin e kuadrit ligjor për të drejtat e fëmijëve

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka pritur shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Ministri Selimi, gjatë diskutimit me Sahinin, fillimisht falënderoi UNICEF-in për mbështetjen që i ka dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës përmes programeve të tij, me theks të veçantë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.

Gjatë këtij takimi u potencua nevoja për një zbatim më efektiv të legjislacionit ekzistues dhe bashkëpunim më të madh mes niveleve të ndryshme të autoriteteve përgjegjëse në këtë drejtim. Sipas ministrit Selimi, Kosova ka ndërtuar legjislacion bashkëkohor për drejtësinë për të mitur, në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF, ligje këto të cilat janë të zbatueshme për të gjithë fëmijët në territorin e Kosovës.

Po ashtu në takim palët biseduan për riintegrimin e të miturve të burgosur, adresimin e çështjeve për mbrojtjen e fëmijëve-viktima të veprave penale dhe për mundësitë për ta bërë drejtësinë për të miturit më të qasshme dhe më të kuptueshme për ta.

Ministri i Drejtësisë, Selimi u sigurua për mbështetje të mëtejme nga UNICEF-i përmes projekteve të përbashkëta për të avancuar më tej fuqizimin e kuadrit ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.