Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me qytetarë në Gjilan në kuadër të iniciativës “Hajde Folim”, ku tha se Kosova ka nevojë për më shumë komunikim të sinqertë dhe më pak përçarje.

Përmes një mesazhi pas takimit, Abdixhiku theksoi se në Gjilan është diskutuar hapur për sfidat që po përballin qytetarët, zhgënjimet e grumbulluara ndër vite, por edhe për shpresën që, sipas tij, vazhdon të ekzistojë.

“Pa distancë. Pa censurë. Ballë për ballë”, u shpreh ai, duke e përshkruar atmosferën e bashkëbisedimit me qytetarët.

Sipas Abdixhikut, vendi ka nevojë për më shumë afërsi mes njerëzve dhe më pak “dhunë e heroizma të dhunës”, derisa shtoi se rrugëtimi politik që po ndërtohet vjen pikërisht nga takimet me qytetarët dhe nga dëgjimi i problemeve të tyre të përditshme.

Në fund, ai falënderoi qytetarët e Gjilanit për mikpritjen, sinqeritetin dhe besimin, duke theksuar se “rrugëtimin po e bëjmë bashkë”.