Kosova i refuzoi donacionet e vaksinave antiCOVID, kryeministri bullgar kishte deklaruar se së shpejti do tu kalonte afati

Në korrik të këtij viti, kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Stefan Yanev kishte deklaruar se Qeveria bullgare do të merrte vendim se cilit shtet do t’i dhuronte një sasi vaksinash anti-COVID, të cilave së shpejti do tu skadonte afati.

Sipas raportimeve të medieve të huaja, deri në korrik, Bullgaria kishte pranuar 4.8 milionë doza të vaksinës, por i kishte administruar vetëm 1.8 milionë.

E një pjesë e këtyre vaksinave, siç mëson Telegrafi ishin të destinuara si donacion për Republikën e Kosovës, të cilat u refuzuan nga institucionet e vendit tonë.

Siç sqaroi një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pikërisht për shkak të afatit të afërt të skadencës, në korrik të këtij viti janë refuzuar disa donacione nga vendet e BE-së.

Vitia ka bërë të ditur se refuzimi i këtyre vaksinave është bërë me rekomandim të Komitetit të Vaksinimit.

Sipas ministrit Vitia, donacionet janë refuzuar për shkak se afati i skadencës nuk ishte i mjaftueshëm për të garantuar se do të mund të shfrytëzoheshin për t’i vaksinuar qytetarët.

“Janë refuzuar disa donacione, për të vetmen arsye sepse komiteti i vaksinimit është një trup profesionale. Kanë qenë oferta për vaksina Astrazeneca, pas donacionit nga Norvegjia, që kanë pasur një afat skadencë jo optimal që do të na kishte garantuar që t’i administrojmë tek qytetarët tanë. Me rekomandim të Komitetit të Vaksinimit, natyrisht ne i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar për shkaqe të cilat i përmendëm”, tha Vitia.

Ndryshe, Vitia në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë hequr nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia.