Kosova i mbyllë me humbje eliminatoret për ‘Euro 2020’, por me fitore jashtë fushe

Përfundon çdo gjë, Kosova i ka mbyllur me humbje eliminatoret për ‘Euro 2020’.

‘Dardanët’, në sfidën e fundit në Grupin A, u mposhtën 0-4 në ‘Fadil Vokrri’ nga superfuqia botërore, Anglia, duke mbyllur kështu këto kualifikime në pozitën e tretë me 11 pikë. Kjo është hera e parë që Kosova pëson në shtëpi.

Kosova, me mungesat e Arbër Zenelit, Herolind Shalës, Hekuran Kryeziut dhe së fundmit të Vedat Muriqit, e kishte të pamundur për të rrezikuar shumë “Tre Luanët”.

Harry Winks i Tottenham zhbllokoi rezultatin duke realizuar për 0-1 në minutën e 32-të, që doli të jetë rezultati i pjesës së parë. Në atë të dytë, anglezët e gjetën rrjetën edhe tre herë, shënuan Harry Kane (79’), Marcus Rashford (83’) dhe Mount (90’), për rezultatin përfundimtar 0-4.

Sido që të jetë, kjo është humbje me shije të mirë për Kosovën, që i ka treguar botës së si një vend i vogël, i dalur pak nga lufta, mund të arrijë gjëra të mëdha.

Kosova dhe tifozët e saj kanë pushtuar botën me sjelljen dhe respektin për kundërshtarët.

Ëndrra vazhdon për ne, pasi në mars do të luftojmë sërish për Kampionatin Evropian, kur në play-off të Nations League Kosova do të ketë punë me Maqedoninë.