Kosova fiton një pozitë në radhitjen e FIFA-s, Shqipëria mbetet në vendin e njëjtë

Kosova ka vazhduar të shënojë ngritje në renditjen botërore të FIFA-s, pasi tani pozicionohet një vend më lart, në vendin e 119-të.

Kjo nënkupton se Kombëtarja verdhekaltër e ka regjistruar ngritjen më të lartë në historinë të saj në renditjen botërore të organit qeverisës së futbollit botëror, që prej pranimit në UEFA dhe FIFA më 2016.

Kosova tani grumbullon 1164 pikë, 15 pikë më shumë seç kishte deri tani, falë fitores së rëndësishme në kualifikime për Euro 2020 kundër Republikës së Çekisë (2-1) në fillim të këtij muaji në Prishtinë.

“Dardanët”, që ndodheshin në pozitën e 120-të para publikimit të renditjes së fundit, tani lënë mbrapa Namibinë, Angolën dhe Zelandën e Re.

Kosova e humbi ndeshjen tjetër kualifikuese të muajit shtator kundër lideres së Grupit A, Anglisë, (5-3) në udhëtim.

Muajin e ardhshëm, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në shtëpi, një miqësore kundër Gjibraltarit dhe një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi.

Nëse arrin rezultate pozitive nga këto dy takime, atëherë Kosova do të shënojë ngritje edhe më të lartë në renditjen e FIFA-s.

Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka ndryshuar pozitën në ranglistën botërore të FIFA-s, që i radhit të gjitha ekipet kombëtare në bazë të formës së tyre.

Edhe pas ndeshjeve të shtatorit, Shqipëria mbetet në pozitën e 64-të në këtë ranglistë, përkundër që i ka grumbulluar 1372 pikë, dhjetë më shumë sesa që i kishte në listën e kaluar.

Këto pikë, kuqezinjtë i morën falë fitores kundër Islandës me rezultat 4-2 në fillim të shtatorit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Shqipëria mund të ishte ngritur në pozitë më të lartë nëse do të kishte arritur të paktën barazim në ndeshjen kundër Francës, që përfundoi me rezultat 4-1 për kampionët e botës.

Megjithatë, për shkak se Franca radhitet shumë mirë në këtë listë, e dyta në botë, Shqipëria nuk u dëmtua shumë nga ajo disfatë dhe arriti t’i fitojë dhjetë pikë.

loading…