Kosova fiton medalje të argjendtë dhe të bronztë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare

Një medalje të argjendtë dhe një të bronztë e kanë fituar studentët e Kosovës në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare për Studentë- IMC 2020.

Siç është bërë e ditur nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës përmes një njoftimi për media, kjo garë është mbajtur virtualisht për shkak të pandemisë Covid-19.

“Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës Fiton Hoxha ka fituar Çmim të Dytë (Medalje të Argjendtë) me 25 pikë, ndërsa studenti tjetër i Departamentit të Matematikës Erion Hamiti ka fituar Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë) me 20 pikë. Mirënjohje Nderi kanë fituar studentët: Monika Bunjaku dhe Duart Nishefci”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën për media, ndër të tjera thuhet se IMC është ndër garat më e rëndësishme botërore e matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës .

Po ashtu, për herë të parë, një detyrë e Olimpiadës IMC është propozuar nga ekipi i Kosovës.