Kosova feston 15 vjetorin e pavarësisë e izoluar, vetëm në 15 shtete mund të udhëtojmë pa viza

Kosova po feston 15 vjetorin e Pavarësisë,  por qytetarët e saj nuk janë të barabartë me fqinjët as këtë përvjetor të mëvetësisë.

Kosova ka mbetur “delja e zezë” në Evropë, duke mos pasur mundësi për udhëtim pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Pritja para ambasadave është pamja e njëjtë që nga pas lufta, shkruan Demokracia.com.

Janë shumë pak shtete që kosovarët mund të udhëtojnë pa pasur nevojë për një vizë.

Janë 15 shtete që mund të udhëtojnë kosovarët pa pasur nevojë të presin para ambasadave të tyre që të pajisen me viza.

Janë vendet e Ballkanit: Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina.

Disa shtete të largëta që s’ka kurrfarë interesi për të udhëtuar atje: Bregu i Fildishtë, Domenika, Ekuadori, Gambia, Haiti; Mikronezia, Territoret Palestineze, Shri Lanka, Shën Vinsent-Grenadinë  dhe në fund Turqia. Kjo e fundit është nga shtetet e para që kishte eliminuar burokracitë për kosovarët që shkojnë në Turqi, për faktin se e përdorin shumë për turizëm shëndetësor, që është në favor në Ankarasë.

Ndërsa 154 shtete të botës kanë regjim vizash për kosovarët, nëse dëshirojnë të udhëtojnë në to.

Bashkimi Evropian për më shumë se 1 dekadë ia kishte premtuar Kosovës liberalizmin e vizave, por për çdo vit thuajse kishte dal nga një kusht për Prishtinën zyretare.

Rruga e gjatë e Kosovës drejt liberalizmit ka gjasa të marrë fund në janar të vitit 2024, e që kosovarët mund të udhëtojnë në vendet e BE-së pa pritur më para ambasadave.

Kosova kishte regjim vizash edhe me Bosnje e Hercegovinën, mirëpo  liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia me datën 3 nëntor të vitit 2022 kishin nënshkruar tri marrëveshje  në kuadër të samitit të  Procesit të Berlinit në prani të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë pa viza në mes Kosovës dhe Bosnjës Hercegovinës

Tre muaj më vonë, Qeveria e Kosovës kishte miratuar marrëveshjen e lëvizjes me letërnjoftim mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të mundësohet lëvizja pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.