Armend Zemaj

Kosova e para në botë për kah numri i vdekjeve, Zemaj tha se jemi shembull në menaxhimin e pandemisë

Kosova renditet e para për raste të vdekjeve nga COVID-19 për 1 milion banorë, e ndjekur nga Peru, Bolivia, Meksika dhe Panamaja.

Shteti ynë i vogël për numrin e vdekjeve në 1 milion banorë e ka lënë prapa edhe Amerikën e cila renditet në vendin e 9-të.

Të dhënat i ka publikuar themeluesi dhe Drejtori i Institutit për Hulumtime “Scripps”, Eric Topol, i cili është edhe profesor i mjekësisë molekulare, në llogarinë e tij zyrtare në twitter ka publikuar një tabelë në të cilën janë paraqitur të dhënat për rastet e vdekjeve nga COVID-19 nëpër botë.

Në tabelën e publikuar nga profesori amerikan janë të dhënat deri në datën 11 gusht 2020.

Pavarësisht kësaj, numri i rasteve të vdekjeve nga COVID në Kosovë ka qenë i lartë edhe në të dhënat e publikuara dje nga IKSHP, ku ishin gjithsejtë brenda 24 orëve 11 persona të vdekur.

Mirëpo, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë të dhënë tri ditë më parë tha se Kosova është shembull në menaxhimin e pandemisë, shkruan Reporteri.

Në një intervistë për Kanal 10 Zemaj, tha se Kosova është shembull për menaxhimin e situatës me koronavirus.

Ai po ashtu tha se numri i vdekjeve nga koronavirusi do të ishte më i madh nëse nuk do të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet.