Kosova e merr drejtimin e Odave të Ballkanit Perëndimor, deri tash e kishte Serbia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është zgjedhur Kryetar i Odave të Ballkanit Perëndimor, në një konferencë që është mbajtur në Slloveni.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Rafuna, i cili ka bërë me dije se mandati i tij do të jetë 4-vjeçar.

Rafuna ka thënë se kjo është hera e parë që Kosova udhëheq këtë mekanizëm që rrjedh prej Procesit të Berlinit, duke shtuar se do t’ju ndihmijë shumë bizneseve të vendit për rë depërtuar në tregjet e huaja dhe për investime.

Deri tash, këtë pozitë e ka mbajtur Kryetari i Odës Ekononime të Serbisë.

“Po, jam zgjedhur sot, me mandat 4-vjeçar. Para meje në këtë pozitë ka qenë Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë. Kosova për herë të parë e udhëheq këtë mekanizëm që do t’u ndihmojë bizneseve të vendit shumë për të dëpërtuar në tregje të huaja. Më pas do t’ju ndihmojë edhe në thithjen e investimeve të huaja. Ky mekanizëm rrjedh prej Procesit të Berlinit”, ka deklaruar Rafuna për Express.