Kosova dhe Shqipëria shprehin vullnetin për ofertë të përbashkët turistike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot është takuar me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë.

Pas takimit, ministri Shala tha se kanë biseduar për mundësinë e krijimit të ofertave të përbashkëta nga operatorët ekonomik për turizmin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Shala theksoi se si vizitorë të huaj gjatë një vitit në Republikën e Kosovës janë 4.9 milionë, prej tyre 26 për qind ose rreth 800 mijë janë nga Republika e Shqipërisë.

Edhe ministri Klosi shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, pasi sipas tij është e pafalshme që Kosova dhe Shqipëria mos të kenë ofertë të përbashkët për turizëm.

Ndërsa, i pyetur për mundësinë e uljes së numrit të turistëve kosovarë për shkak të taksës rrugore në “Rrugën e kombit” prej 5 euro një drejtim, ministri Klosi nuk ka dhënë përgjigje.