Kosova dështoi prapë në PISA, por ministri i Arsimit flet për “lëvizje pozitive”

Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se përkundër rezultatit të dobët në PISA, ka pasur lëvizje pozitive.

“Nuk mund të themi se përgjegjësia është veç e qeverisë së kaluar. Për përgjegjësinë duhet të diskutohet në një rrafsh shumë më të gjerë. Nëse kthehemi e themi pse e kemi këtë rezultat, për hir të publikut duhet të sqarohet se po thuhet që Kosova është radhitur e treta kah fundi. Kur flasim për lexim ne jemi të renditur të tretit të fundit, të barabartë me të katërtit, pra kemi një lëvizje pozitive, e vogël por megjithatë është një lëvizje. Për matematikë jemi të katërtit të fundit por të barabartë me të pestit, pra me pikë të njëjta”, ka thënë Bytyqi në KTV.

E sipas tij lëvizje pozitive ka pasur edhe në matematikë.

“Ka pasur sukses sepse ka pas lëvizje pozitive në matematikë, me vetveten po flasim, në lexim prapë me vetveten dhe rënie në skenë”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se gjendja në sistemin e arsimit nuk ka mundur të rregullohet për dy a tri vite.

“Duhet të jetë një angazhim i përgjithshëm shtetëror, duke filluar nga kryeministri deri te pushteti lokal. Ministria mund të thotë që ka politika të mira mirëpo që nuk po zbatohen nga pushteti lokal. Duhet të kemi një harmonizim që këto politika të testohen se vërtetë kemi bërë politika të mira”, u shpreh ai.