Kosova brenda një muaji importoi 228 GWh kurse eksporti 378 GWh energji elektrike

Gjatë muajit qershor të këtij viti Kosova ka importuar 228.42 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 377.93 GWh.

Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar Statistikat e Energjisë për muajin qershor 2022, me të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve tjerë.

“Në muajin qershor të vitit 2022, prodhimi bruto nga termocentralet i energjisë elektrike ishte 556.97 GWh, prodhimi bruto nga hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 8.4 GWh dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo diellore e energjisë elektrike ishte 21.65 GWh”, njofton ASK, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, aty thuhet se konsumi mujor për këtë periudhë është 12 për qind më i vogël.

“Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 437.52 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 325.38 GWh ose 12.09 për qind më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 9.24 për qind”, theksohet tutje.

Kosova për këtë muaj ka eksportuar më shumë rryme se sa që është sjell nga vendet tjera.

“Importi i energjisë elektrike në qershor të vitit 2022 ishte 228.42 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 377.93 GWh”, tregon agjencia.

Në fund, ASK thotë se prodhimi i thëngjillit ishte rreth 5.92 mijë tonelata ose 14.35 për qind më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.